Developing a Growth Mindset with Carol Dweck

278
Published on 14/09/2020 by

Për ditën e parë të shkollës kam zgjedhur këtë ligjërtë frymëzuese të profesoreshës së psikologjisë në Universitetin e Stanford që merret me mendësinë. Ajo e përkufizon punën e vet kështu: “Puna ime ndërlidh psikologjinë zhvillimore, psikologjinë sociale dhe psikologjinë e personalitetit dhe shqyrton vetë-konceptimet (ose mendësitë) që njerëzit përdorin për të strukturuar veten dhe për të drejtuar sjelljen e tyre. Hulumtimi im shikon origjinën e këtyre mendësive, rolin e tyre në motivim dhe vetë-rregullim, dhe ndikimin e tyre në arritjet dhe proceset ndërpersonale “.

Arësyeja e dytë se pse po e rekomandoj pikërisht sot këtë temë, është një segment i padiskutuar deri tash në mesin tonë, i raportit botërorë të PISA të OECD-së ( https://bit.ly/2RcS3sp ), faqe 72., Figura II.3.4 , ku ipet përpjesa e nxënësve që kanë mendësi zhvillimore (Ang.: Proportion of students exhibiting a growth mindset).

Aty mund të shohim se nxënsit tanë janë të parafundit në botë përkah numri i atyre që kanë “mendësi zhvillimore”. Ky rezultat është edhe më alarmant se niveli tejet i ulët i shkallës së arritshmërisë (që përndryshe është diskutuar aq shumë në mesin tonë!), dhe tregon se numri dërrmues i nxënësve tanë kanë “mendësi fikse”, janë mendjembyllur, nuk kanë vetëbesim, mendojnë se janë totalisht të paaftë për të bërë diçka konkrete në jetën e vet dhe nuk kanë ide të qarta për orientim profesional.

Këtë problem, konceptualisht fundamental të edukimit tonë, e kam vërejtur edhe gjatë karrierës sime si inxhinier-projektant dhe si pedagog universitar dhe fatkeqsisht kjo gjendje po vazhdon ende.

Prandaj mendoj se është koha e duhur që të ndërrojmë këtë gjendje për të mirë. Ne mësuesit dhe profesorët, duhet të gjejmë mënyra origjinale dhe inovative që ta mbështesim studentin/nxënësin tonë që ai/ajo vet të sundojë veten, të hap horizontet e veta me dituri që është rezultat i motivimit, kërshërisë dhe interesimeve personale e jo i diktatit të autoritetit të mësuesit/profesorit. Vetëm kështu mund të nxisim te ata mendësinë zhvillimore e jo t’i lëmë të robëruar me mendësi fikse.

Category