Derisa inxhinierët e termocentralit Kosova B, së bashku me inxhinierët gjerman, janë duke punuar në riparimin e defektit në turbinën e blokut 2., të mësojmë se si funksionon kjo turbinë gjigante.
Fuqia e bllokut 2. të TC Kosova B është rreth 240MW dhe është më e madhe (ose e krahasueshme) me fuqinë e përbashkët të të gjitha burimeve të ripërtëritshme të energjisë elektrike së bashku.
Për shkak të përmasave të mëdha të turbinës, temperaturës dhe energjisë së madhe që ka avulli në turninë, flatrat e turbinës janë pjesa më delikate e turbinës. Flatrat mund të dëmtohen për shkak të “lodhjes” së materialit, por ato mund ti dëmtojë edhe një grimcë e vetme zalli që mund të vie në turbinë. Nëse vetëm një flatër dëmtohet, copëzat e saj do të dëmtojnë edhe disa flatra të tjera, kështu që turbina menjëherë duhet të ndalet.
Këto flatra janë të punuara me precizitet mikrometrik nga materiale speciale që kanë fortësi dhe qëndrueshmëri të madhe ndaj temperaturave të larta. Andaj nuk mund të gjenden në treg të lirë, por patjetër duhen porositur nga prodhuesit që i kanë prodhuar. Gjithashtu, edhe zëvendësimi, akordimet dhe balancimi i tyre duhet të bëhet me instrumente speciale dhe nga ekspertët me përvojë që zakonisht vijnë nga kompanitë prodhuese të turbinave.